Puna dhe procesi pjesëmarrës me aktorët lokal të interesit nisi më 29 – 31 Maj 2024 në Shkodër ku 22 pjesëmarrës punuan intensivisht së bashku për tre ditë mbi “Targetet e biodiversitetit, shërbimet e ekosistemit dhe mirëqenies së njeriut”, duke finalizuar një skicë të qartë dhe skematike mbi ruajtjen e biodiversitetit, kulturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Përgjatë workshopit të parë u prezantua kufiri gjeografik i Rezervës së Biosferës së ardhshme dhe u punua bashkërisht mbi artikulimin e vizionit që grupet e interesit ndajnë mes tyre për Liqenin e Shkodrës dhe vlerat e tij. Për të diskutuar mbi dinamikat ujore, benefitet si dhe kërcënimet, workshopi u përmbyll me një vizitë në terren në Kalanë e Rozafës, ku pjesëmarrësit ndanë diskutime, ide dhe vëzhguan nga afër natyrën dhe fenomenet ekologjike.
Workshopi i dytë kombëtar u organizua më 19 – 21 Qershor 2024, në Shkodër me aktorët lokal të interesit për të vijuar punën mbi “Analizën e Situatës, modelin konceptual dhe zonimin”. 44 pjesëmarrës punuan bashkërisht për të identifikuar kërcënimet dhe faktorët kontribues të tyre të cilët ndikojnë në vlerat kulturore dhe natyrore të Pellgut ujëmbledhës të liqenit të Shkodrës. Në vijim, aktorët e interesit ndanë propozimet e tyre në lidhje me strukturat menaxhuese, qeverisëse dhe zonimin e rezervës së ardhshme të biosferës. Puna e pjesëmarrësve mbi strukturat menaxhuese u integrua me përvojën e çmuar të z. Petr Čupa, ekspert për Menaxhimin e Rezervave Biosferë të UNESCO – s, i cili ndau me pjesëmarrësit raste të suksesit dhe ndërtimin e mirëfilltë të një strukture funksionale menaxhuese për një rezervë biosfere ndërkufitare. Në një linjë me workshopin e dytë kombëtar u zhvillua aktiviteti “Tryeza e Gjelbër – Liqeni i Shkodrës, Rezervë Biosfere Ndërkufitare” organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ku përveç prezantimeve të vlefshme nga panelistët mbi statusin e Pellgut ujëmbledhës të Liqenit të Shkodrës si një Rezervë Biosfere Ndërkufitare, u zhvilluan edhe diskutime nga pjesëmarrësit, të cilat i shtuan vlera të gjithë procesit pjesëmarrës. Këto diskutime siguruan edhe rekomandime përsa u përket sfidave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.
Workshopi i tretë kombëtar u zhvillua më 17 – 19 Korrik në Shkodër me përfshirjen e aktorëve lokal të interesit, të cilët punuan mbi “Strategjitë ekzistuese, aktivitetet dhe planifikimin respektiv”. Ky workshop përmblodhi punën mbi hartimin e strategjive dhe aktiviteteve për reduktimin e kërcënimeve të identifikuara dhe zhvillimin e targeteve kulturorë, natyrorë dhe ekonomik. Gjithashtu, 27 pjesëmarrës punuan mbi teorinë e ndryshimit dhe rishikimin e zinxhirit të rezultateve të propozuara nga workshopet ndërkufitare si dhe rishikuan strategjitë e propozuara deri më tani, strategjitë ekzistuese dhe përfshirjen e tyre në analizën e situatës.
Ky proces i rëndësishëm i cili përfshiu aktorë të interesit të rajonit të Shkodrës, bashkë me energjinë dhe punën serioze, demonstron dëshirën për zhvillim të qëndrueshëm të zonës dhe na jep besim se Liqeni i Shkodrës do të jetë me sukses një Rezervë Biosfere Ndërkufitare në të ardhmen.
1. Punëtoria e Parë Kombëtare
2. Punëtoria e Dytë Kombëtare
3. Punëtoria e Tretë Kombëtare